Libër për lulet jo vetëm për vete
Intervistë me autorin e librit “Lulet shumëvjeçare zbukuruese të kopshtit” Hafir Sedollin
nga Ylldije Sulka
Në një libër me natyrë të veçantë janë përfshirë rreth 200 lloje lulesh me fotografime dhe udhëzime të
vlefshme për të gjithë
Ka bërë me mijëra kilometra në pjesën më të madhe të Zvicrës për t’i gjetur e për t’i fotografuar në kohën e duhur në kopshte e firma, nuk bëhet
fjalë për ndonjë thesar, por për lule, pra i ka ndodhur që ka pritur kohën gjatë lulëzimit të tyre, sepse disa lloje lulesh nuk ka arritur që t’i fotografojë gjatë atij viti, prandaj i është dashur
të presë deri vitin tjetër kur ato të lulëzonin, por janë bërë 4 vjet pritje derisa e ka përgatitur për ta botuar, por pavarësisht nga vështirësitë, dëshira dhe vullneti kanë qenë më të forta për ta
bërë këtë libër dhe ja sot, ai është në duar të lexuesve e dashamirëve të luleve, bëhet fjalë për librin “Lulet shumëvjeçare zbukuruese të kopshtit” me autor Hafir Sedollit që jo shumë kohë më parë e
ka nxjerrë në botim duke zgjuar shumë interes jo vetëm këtu në Kosovë por edhe në Zvicër, madje po ndodh që shumë zviceranë kanë porositur që ta kenë pjesë të bibliotekës së tyre.
Prishtinë 19 gusht
EPOKA E RE: Flora, a mund të na flisni pak shkurt për të në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë për florën shqiptare
të Kosovës?
SEDOLLI: Flora emërton gjithë botën bimore pa dallim. Pastaj, kemi ndarje e nënndarje të shumta sipas zonave klimatike, kontinenteve e rajoneve e që shkon më tutje duke u detajuar
apo konkretizuar edhe deri tek Flora e një pjese të caktuar vendi. Flora e Kosovës është shumë e pasur me bimë që janë të përhapura në gjithë kontinentin, në rajon dhe me shumë bimë të
rralla apo siç quhen endemite. Padyshim, më interesantet janë bimët e maleve të larta ku zakonisht dominon klima alpike. T’ua përkujtoj se Kosova nga të gjitha anët rrethohet me male dhe janë poashtu
malet që i ndajnë dy Rrafshet: të Dukagjinit dhe të Kosovës.
EPOKA E RE: Një libër për lulet, me sa dimë botime të tilla janë të rralla, përse kjo iniciativë?
SEDOLLI:Po, është
një libër i rrallë, e besoj se nuk e teproj nëse them edhe i vetmi i këtij lloji. Është fat i madh që ne kemi disa libra me vlerë shumë të madhe për Florën apo bimësinë e viseve shqiptare, të botuara
nga të dy Akademitë tona të Shkencave, pastaj botime si libra universitarë, shkollorë apo si botime të veçanta. Ndërsa, botime për bimët që kultivohen në kopshte dhe hapësira tjera gjelbëruese për
qëllime zbukurimi, te ne nuk kemi ose është cekur kalimthi ajo cilësi e ndonjë bime. Unë në librin tim u përqendrova pikërisht në fushën e luleve të kultivuara ku mënyra e përshkrimit të tyre, forma
dhe dizajni nuk është diçka e re vetëm në hapësirën mbarëshqiptare, por shkon edhe pak më tutje.
EPOKA E RE: A mund të jeni më konkret në këtë thënien e fundit?
SEDOLLI: Po! Në Zvicër ku punoj e jetoj, në një revistë të kopshtarisë u bë një
prezantim i shkurtër i librit tim. Pa kaluar shumë kohë, u shitën shumë ekzemplarë të librit. Çudia ishte se të gjithë ata janë zviceranë, pra nuk e njohin gjuhën shqipe. Nga bisedat që kam pasur me
profesorët e mi dhe kolegët, ishin të mendimit se në këtë libër të dhënat shkencore, përshkrimi i luleve dhe fotografitë në çdo faqe i shoqëron një dizajn që sipas tyre nga ana vizuale është i
bukur.
EPOKA E RE: Çka i dallon lulet për kopshte nga ato të egrat?
SEDOLLI: Lulet të cilat përdoren në kopshte varësisht nga llojet, prejardhjen e
kanë nga të gjitha vendet e botës. Përzgjedhja e tyre bëhet në nivel ndërkombëtar. Pas çdo paraqitje të ndonjë lloji apo tipi të veçantë, bëhet vlerësimi, patentohet, është i mbrojtur si lloj dhe
lejohet të shumëzohet vetëm me lejën e firmës apo të atij që e ka përfituar. Pas një kohe ai lloj është i lirë dhe mund të rritet dhe shumëzohet sipas dëshirës dhe nevojës apo interesit që shprehin
qytetarët për të. Në listën ndërkombëtare të luleve ka aso që i plotësojnë kushtet si lule zbukuruese dhe nuk kanë nevojë për kurrfarë përmirësimi, pra përdoren ashtu si janë në formë të egër. Ndërsa
në tipet hibride është bërë ndërhyrje në përfitimin e llojeve me rritje më të madhe, më kompakte apo në shumëngjyrshmëri. Mund t’iu them se kudo, në çdo shtet, të zhvilluar apo të pazhvilluar
përdoren llojet e njejta lulesh zbukuruese. Dallimet janë në atë se sa i madh është numri i luleve që përdoren në ato shtete dhe se në shtetet e zhvilluara qarkullimi i llojeve të luleve bëhet në
mënyrë të organizuar, ndërsa në shtetet e pazhvilluara zakonisht në mënyrë stihike.
EPOKA E RE: Çfarë sjell ky libër për një përdorues të zakonshëm?
SEDOLLI: Mënyra e hartimit të librit është bërë në atë mënyrë që t’i shërbejë
lexuesit të gjërë, pavarësisht nga niveli i arsimit dhe profesioni. Unë mendoj se mjafton që të ekzistoj dëshira për të pasur lule të bukura në kopsht, pastaj secili mund ta marr këtë libër në dorë,
t’i zgjedhë ato lule që i pëlqejnë, të informohet për karakteristikat e veçanta të tyre dhe të shkoj e t’i blejë në firmat e luleve. Unë personalisht njoh shumë mësues, mjekë, ekonomistë që i duan
lulet dhe ky libër mund t’iu ndihmoj shumë në përzgjedhje.
EPOKA E RE: Për cilin nivel është ky libër, për atë profesional apo për një masë të gjerë?
SEDOLLI: Nivelin profesional, në këtë rast unë e kuptoj për njerëzit që i kanë
firmat e tyre të luleve dhe nxënësit e studentët. Me shumë pronarë të firmave që kam biseduar, janë të kënaqur me atë se çka u ofron ky libër. Ndërsa nxënësit e studentët pos llojshmërisë së madhe,
në mënyrë tabelare i kanë të dhënat shkencore si: emri latinisht, shqip, gjermanisht, familja, prejardhja, rritja dhe shumë specifika tjera të nevojshme. Unë e jam përpjekur që gjithçka që është e
ndërlikuar, ta bëj të thjesht apo të kapshme për të gjithë, e me kujdesin më të madh për të mos e cënuar anën shkencore e profesionale. Prandaj, do më bëhej qejfi që këtë libër ta shihja në ndonjë
raft të bukur apo të ekspozuar në ndonjë vitrinë, e njësoj mirë do të më vinte ta shihja në ndonjë kënd të kopshtit apo në duart e ndonjë kultivuesi lulesh, ku nga përdorimi i shpeshtë në një rast
ishte lagur dhe dëmtuar.
EPOKA E RE: Për nga llojshmëria, sa është i pasur libri juaj?
SEDOLLI: Me rreth 220 lloje gjerësisht të analizuara, mund t’iu them se libri
është shumë i pasur. Këtë mund ta argumentoj se edhe në Zvicër ku punoj, ka firma fare pak, sa mund të numërohen në gishta që kanë një asortiment kaq të madh lulesh. Unë në këtë rast kam shkuar
përfshirë shumë lloje me dëshirën që dashamirët shqiptarë të luleve të kenë mjaft çka të zgjedhin.
EPOKA E RE: Sa e vështirë ka qenë për ju hartimi i një libri të tillë?
SEDOLLI: Puna në shkrimin apo hartimin, si thoni Ju, e librit, ishte mjaft e
mundimshme. Siç e kam cekur edhe në parathënie të librit vetë ndjenja se “ti duhet të fillosh i pari”, ndonjëherë krijonte njëfarë pasigurie dhe shqetësim. Mbledhja e materialit fotografik
më krijonte vështirësi të mëdha. Siç e dini libri i ka rreth 650 fotografi për t’i ilustruar 200 llojet e luleve. Kam bërë me mijëra kilometra në pjesën më të madhe të Zvicrës për t’i gjetur ato në
kopshte e firma dhe për t’i fotografuar në kohën e duhur, pra gjatë lulëzimit të tyre. Ka ndodhur që disa lloje lulesh nuk kam arritur t’i fotografoj gjatë atij viti, prandaj më është dashur të pres
deri në vitin tjetër kur ato lulëzonin. Koha deri në përfundim të librit ka zgjatur 4 vjet, ndërsa një vit të plotë kam pritur për ta botuar. Pavarësisht nga vështirësitë, dëshira dhe vullneti ishin
më shumë për ta bërë këtë libër dhe ja sot është në duar të lexuesve e dashamirëve të luleve.
EPOKA E RE: Sa kam vërejtur unë, përshkrimi i luleve në librin tuaj nuk bëhet në mënyrë të thatë apo të ftohtë shkencore, a mund të flitet
për ndonjë vlerë artistike të shprehura në tekst të çdo faqeje.
SEDOLLI: Një gjë është e qartë! Dizajni i librit, sigurisht që është i bërë në
mënyrë artistike dhe ka vlera artistike. Unë pata fatin e madh që të studioj letërsi dhe gjuhë. Pa njohuri të mjaftueshme në këto dy lëmi, unë as që do t’ia
nisja një pune të tillë. Gjatë shkrimit të teksteve të çdo lloji lulesh, jam përpjekur që ai të jetë i rrjedhshëm, i qartë që të kuptohet leht dhe t’ia krijoj ndjenjën lexuesit se është shkruar pë
diçka të bukur dhe gjithsesi të gjallë. Në mënyrë që më mirë lexuesi i gazetës suaj të njihet se si është bërë përshkrimi i luleve, unë kam zgjedhur faqen 79 të librit e pikërisht lulen
„Dicentra spectabilis“, po citoj: Zemra që loton, kështu quhet në shumë gjuhë evropiane kjo lule kopshtare. Se a i është vënë ky emër nga vendet prej të cilave ajo e ka prejardhjen (Kina...), nga
këta popuj aziatikë me tradita pak më ndryshe nga ne, e që edhe ata mund ta ndjejnë se si çahet zemra, apo nga evropianët sentimentalë, më vjen keq prej lexuesit të nderuar që nuk mund t'ua them
saktësisht. Kjo bimë është e njohur dhe e dashur me lulet e saj të mrekullueshme gjithë hijeshi, ëmbëlsi dhe simbolikë. Në pranverën e hershme „Dicentra spectabilis”, rritet me shpejtësi. Më vonë
lart shfaqen kërcejtë të cilët janë të hollë dhe horizontal deri në përkulje. Lulet janë të renditura si gjerdan me margaritarë. Mbështjellësi si këllëf me ngjyrë pembe deri në të kuqe e në formë
zemre, çahet në mes duke ua mundësuar shfaqjen me ngjyrë të bardhë të petaleve që të krijon ndjenjën e rrjedhjes së një një pike loti dhe si fenomen është mjaft befasues.
EPOKA E RE: Sa janë qytetarët tanë të interesuar për lulet e edhe për librin tuaj?
SEDOLLI: Kam shumë fjalë shumë të mira. Qytetarët tanë janë shumë të interesuar.
U mbetet firmave të luleve, mua dhe të gjithë ata që merren me prodhimin e tyre të ofrojnë llojshmëri dhe cilësi më të mirë si dhe literaturë të nevojshme. Në panairin i librit nga 20-24 maj në
Prishtinë unë edhe pse prezantohesha vetëm me një libër, stenda ime ishte shumë e vizituar. Pra, ishin qytetetarët që e shfletonin librin tim, pyesnin dhe e blenin.
EPOKA E RE: Vlerësimet e përgjithshme për librin tuaj?
SEDOLLI: Deri më tani me mijëra vlerësime të mira, asnjë vlerësim negativ, asnjë
kritikë.
EPOKA E RE: Cilat mund të jenë vështirësitë që të kemi një kopsht të bukur në shtëpi me sa më pak materiale?
SEDOLLI: Edhe në kushtet tona çfarë janë, unë mendoj se duhet të bëhet një
planifikim i thjeshtë i vendit pranë shtëpisë, qoftë ai vetëm oborr apo edhe kopsht. Së pari duhet të ndahen pjesët ku ecim nga ato gjelbëruese dhe pastaj mund të krijohen 2-3 forma të ndryshme
gjelbërimi të cilat i dëshirojmë. Në pjesët gjelbëruese mund të mbillet me bar, ndërsa përreth e në mes me disa lule.
EPOKA E RE: Emërtimet e luleve janë në gjuhën latine apo në ndonjë emërtim tjetër dhe cilës gjuhe i jeni referuar, dhe pse, kuptohet veç
shqipes?
SEDOLLI: Emërtimet popullore të bimëve i përdorin vetëm qytetarët në të folmen e
përditshme. Ndërsa emërtimet tjera, duke filluar nga kultivuesit e luleve-firmave e deri në universitet, bazë për emërtimin e bimëve është gjuha shkencore-latinishtja. Si gjuhë e dytë, përdoret gjuha
e vendit, në këtë rast shqipja. Si gjuhë tjetër emërtimi në librin tim e kam zgjedhur gjermanishten me të vetmen arsye, pasi shumë bashkatdhetarë punojnë në firma të luleve qoftë në Zvicër, Gjermani
apo Austri. Kam biseduar shpesh me ta dhe në të shumtën e rasteve ata i dinin më mirë emërtimet në gjermanisht, prandaj kam menduar se do të jetë ndihmesë për ta.
EPOKA E RE: Kjo është një nisje në botën e librave për lulet apo është vetëm një botim?
SEDOLLI: Saktësisht tani nuk mund t’iu them asgjë. Vetëm se jam duke punuar që
të mos mbetet një botim i rastësishëm.
Ju falënderoj edhe Ju shumë dhe i përshëndes lexuesit e gazetës suaj dhe të gjithë dashamirët e luleve.